Me
emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Lavd-falënderimi i
takon Allahut, Zotit të botërave.
Qoftë bekimi mbi të
dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të
Allahut.
Iu rreka këtij punimi,
duke dashur t’i përshkruaj në mënyrë sa më të shkurtë kushtet që Allahu i
përcaktoi për njerëzit që dëshirojnë ta besojnë dhe respektojnë Krijuesin e
tyre në mënyrën që Ai e meriton. Prandaj edhe kjo fletushkë ka përmbajtje të
shkurtë, ashtu siç është edhe Islami - i lehtë, i thjeshtë dhe i afërt për
çdokend. I Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. thotë:
“Vërtet feja është lehtësi, dhe kushdo që e vështirëson
fenë, ajo e ngadhënjen atë!...”[1]
Fletushka bazohet në ndodhinë që e ka transmetuar Umeri
r.a.:
“Një ditë ishim duke ndenjur tek i
Dërguari i Allahut a.s., kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe
flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh
nuk e njohëm. U ul pranë të Dërguarit të Allahut a.s. duke i mbështetur
gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe
tha:
-O Muhamed, më trego ç’është Islami?[2] - i Dërguari i
Allahut a.s. tha:
-Islam është të dëshmosh se nuk ka hyjni
tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, ta
kryesh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh ramazanin dhe ta vizitosh
Ka’ben, nëse ke mundësi! - ai tha:
-Të vërtetën e the. - ne u çuditëm (thotë
Umeri r.a.): Po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha:
-Më trego ç’është imani?[3] - (i Dërguari
i Allahut a.s.) tha:
-Ta besosh Allahun, melekët e Tij,
librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e Fundit dhe të besosh në të caktuarit
e Tij të së mirës dhe së keqes.
-Të vërtetën e the - tha ai dhe shtoi:
-Më trego ç’është ihsani?[4] - (Muhamedi a.s.)
tha:
-Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh,
sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty. - tha:
-Më trego kur është Çasti (i fundit, dita
e shkatërrimit)? - (Muhamedi a.s.) tha:
-Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga
pyetësi. - tha:
-Më trego mbi shenjat e tij? (Muhamedi a.s.)
tha:
-Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë
dhe kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë
në ndërtimin e godinave të mëdha. - (‘Umeri r.a. thotë:) pastaj ai shkoi, kurse
unë mbeta një kohë. Më vonë (i Dërguari a.s.) tha:
-O Umer, a e di se kush ishte pyetësi? -
thash:
-Allahu dhe i Dërguari i Tij më së
miri e dinë. - tha:
-Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t’ua mësojë
fenë tuaj.[5]
Zoti e pranoftë këtë vepër nga unë dhe nga të gjithë ata
që më ndihmuan, na i faltë mëkatet dhe na shpërbleftë me xhennetin Firdews të
gjithë besimtarëve.
Amin.
1. Dëshmia (shehadeti)
2. Falja (namazi)
3. Zekati
4. Agjërimi
5. Haxhxhi
Kushtet e nënshtrimit ndaj Zotit
janë të përcaktuara për të gjithë njerëzit, ndërsa ata që i pranojnë këto, marrin
emrin “muslimanë” (të nënshtruar), duke u bërë kështu pjesëtarë të unitetit
që (momentalisht) numëron rreth 1.5 miliardë njerëz. Moskryerja e ndonjë
prej këtyre kushteve rezulton vuajtje (qoftë shpirtërore ose trupore) në këtë
botë, ndërsa në botën tjetër dënim të rreptë. Nga ana tjetër, kryerja e tyre
vërteton sinqeritetin në nënshtrim ndaj Zotit, ndërsa në botën tjetër siguron
shpërblimet e papërshkrueshme.
Me pranimin e Islamit, çdo njeri e
ka për obligim që ta shprehë këtë edhe haptazi, duke e thënë dëshminë në gjuhën
arabe:
“Esh-hedu en la ilahe
il-lAllah
We
esh-hedu enne Muhameden
‘abduhu we resuluhu.”
(Dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut, dhe
dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.)
Pasi që vendos t’u nënshtrohet
urdhërave të Krijuesit të Tij, muslimani e ka për obligim faljen e pesë
namazeve në kohët e tyre:
1) Sabahu
2) Dreka
3) Ikindia
4) Akshami
5) Jacia
Është obligim që namazet të falen
në kohën fillestare, mirëpo në rast të mospasjes kohë për shkak të ndonjë pune
të domosdoshme, falja mund të shtyhet deri kah fundi i intervalit të përcaktuar
për faljen e atij namazi.
1) Sabahu falet në agim - prej
kur fillon dallimi mes errësirës së natës dhe dritës së zbehtë të mëngjesit,
dhe vazhdon deri para lindjes së diellit.
2) Dreka falet pasi të lëvizë
dielli prej zenitit, deri në atë pozitë kur hija e objektit fiton gjatësinë e
vet objektit.
3) Ikindia falet menjëherë pas
mbarimit të kohës së përcaktuar për faljen e drekës dhe vazhdon deri para
perëndimit të diellit.
4) Akshami fillon pas perëndimit
të diellit deri në errësimin e horizontit.
5) Jacia falet pasi që
horizonti errësohet plotësisht, deri para agimit.
Duhet cekur se rreth faljes së namazeve
ka lehtësime të mëdha për njerëzit e sëmurë, ata që kanë obligime, mysafirët
etj., por lëshimi i namazeve me qëllim nuk arsyetohet me asgjë, ndërsa në rast
të lëshimit të ndonjë namazi pa qëllim, ose me harresë, namazi duhet të falet
në momentin kur të kujtohet. Allahu fal të gjitha mëkatet që bëhen
paqëllimisht, ose me padijeni, mirëpo, siç e kemi përmendur edhe më parë, për
lëshimin e ndonjërit nga kushtet e Islamit qëllimisht pason dënim i rreptë në
botën tjetër, ndërsa për atë që mohon faljen e namazit ose një nga pesë kushtet
e Islamit, qëndrimi Islam është se del nga feja dhe bëhet mosbesimtar.
Zekati është obligim për personin,
pasuria e të cilit arrin vlerën e nisabit, e cila për pasurinë në para dhe mall
për tregti arrin vlerën prej 85 gramë ari e më tepër, nga e cila duhet dhënë
2,5 %, atëherë kur pasuria mbush një vit hixhri te pronari i saj.
Dobitë e zekatit janë të shumëanëshme:
I pasuri jep të tepërtën, ndërsa i varfëri merr atë që i mungon, dhe kështu
bëhet plotësimi i detyrës së njërit dhe nevojës së tjetrit.
Një muaj në vit - gjatë muajit
Ramazan, muslimani e ka për obligim agjërimin prej agimit (kur fillon të
dallohet nata nga dita) deri në perëndimin e diellit. Gjatë ditës ndalohet çdo
lloj ushqimi, pije dhe marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, ndërsa gjatë
natës këto lejohen.
Për muslimanët që e sigurojnë
familjen e tyre nga varfëria dhe që kanë mundësi për kryerjen e haxhxhit,
kjo bëhet kusht i domosdoshëm.
Kryerja e haxhxhit sipas
rregullave të caktuara dhe me sinqeritet rezulton falje mëkatesh nga ana e
Allahut. Një prej dobive tjera të haxhxhit për muslimanët është edhe se
ai paraqet një lloj tubimi vjetor. Gjatë kohës kur ai mbahet, mes
muslimanëve nga të gjitha viset e botës ndërrohen mendime dhe përvoja.
1. Besimi në Zotin
2. Besimi në melekët (engjujt)
3. Besimi në librat e shpallura
4. Besimi në të dërguarit
5. Besimi në ditën e Gjykimit
6. Besimi në përcaktimin e Zotit
Imani - besimi është shkallë e
fesë kur njeriu më fillon ta ndiejë kënaqësinë e asaj që i është nënshtruar -
Ligjit të përsosur të Zotit.
Nga përditshmëria njohtohemi se
çdo send që ka formë, ka formësuesin e vet. Projektin e ndërtesës e ka vizatuar
arkitekti, tavolinës ia ka dhënë formën përfundimtare zdrukthtari, gota është
ndërtuar në fabrikë, etj. Mirëpo, përsëri diçka ngelet e paqartë: a thua është
e njëjtë dhënia e formës me krijimin e materies së parë? Këtu hasim dy shprehje:
formim dhe krijim. Formim do të thotë t’i japësh formën asaj që ka ekzistuar
mëparë, ndërsa krijim - të shpikësh diçka që nuk ka ekzistuar kurrë. Punëtori i
cili ndërton një shtëpi, e ndërton atë prej tullave, dhe në këtë rast ai është
formues e jo krijues. Prejardhja e tullave është nga dheu, pra përsëri bëhet
fjalë për formësim të materies që ka ekzistuar më parë - dheut, ndërsa qëllimi
i këtij shkallëzimi pyetjesh është se kush krijoi dheun - tokën? Pastaj kush
krijoi ajrin, ujin dhe të gjithë atë që e shohim – gjithësinë?! Kush krijoi
materien e parë prej të cilës u formuan të tjerat???
Për këtë çështje njerëzit, e madje
edhe shkencëtarët më të mëdhenj ndahen në dy grupe. Njëri grup nuk di
përgjigjen në pyetjen përfundimtare ose thotë se krijimi i materies ka ndodhur
rastësisht, ndërsa grupi tjetër thonë se Krijues i të gjitha këtyre është Zoti.
Ata që thonë se gjithçka është
krijuar rastësisht, bien në kundërshtim me logjikën e pastër dhe shkencën,
sepse nga asgjëja nuk mund të krijohet diçka.[6] Pastaj, ligjet të cilave u nënshtrohet gjithësia nuk janë aspak të thjeshta:
planetat nuk janë vetëm topa të mëdhenj që rrotullohen andej - këndej pa
qëllim të caktuar, madje edhe për atomin (struktura e të cilit i ngjan shumë
strukturës së një sistemi planetar) vlejnë ligje të ngjashme siç janë ato të
planetave.[7] E
gjithë kjo sinjalizon se ato i ka krijuar një Krijues - Zoti. Shkencëtari
amerikan Cressy Morrison[8] jep
një shembull mjaft të mirë për këtë. Ai thotë: merri dhjetë kokrra groshe dhe
në çdonjërën prej tyre shëno numrat prej 1-10. Futi ato në xhep, përzieji me
dorë dhe përpiqu që ta nxjerrësh kokrrën me numrin 1. Mundësia për ta bërë
këtë do të jetë një me dhjetë (1:10). Nëse do të përpiqeshe t’i nxjerrësh me
rradhë numrat një dhe dy, mundësia për këtë do të ishte një me njëqind (1:100),
mundësia e nxjerrjes së numrave 1, 2, 3, dhe 4 me rradhë do të ishte një me
dhjetë mijë (1:10.000), ndërsa mundësia e nxjerrjes së dhjetë numrave prej një
deri dhjetë me rradhë do të ishte një me dhjetë bilion:
1:10.000.000.000
!!!
Kur dihet se trupat në gjithësi
lëvizin me një precizitet të madh, duke mos u ndeshur njëri me tjetrin, me
ç’rast mundësia e ndeshjes së tyre nuk është sikur t’i nxjerrësh dhjetë
groshë prej xhepit me rradhitje të parapërcaktuar, por kjo mundësi është
shumë më e madhe, atëherë përgjigjja se gjithësia është krijuar rastësisht
dhe udhëhiqet me ligj të rastësishëm vërtet duket e dalur nga goja e njeriut
që nuk ka menduar mjaft për t’u përgjegjur, por është përgjegjur rastësisht!
Këto janë vetëm disa nga
argumentet më të thjeshta që dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit dhe Ligjdhënësit
të së gjithë asaj që ekziston, asaj që shihet dhe që nuk shihet. Argumente
tjera njeriu sheh në çdo hap të jetës, por prej tij mvaret se a do t’i pranojë
ato ose do t’i refuzojë, ai zgjedh vetë se cilit prej dy grupeve do t’i takojë.
Këtu vijnë në kundërshtim të madh
grupet e lartpërmendur. Grupi i cili mohon ekzistencën e Zotit thotë se nëse
Ai vërtet ekziston, atëherë përse Atë askush nuk mund ta shohë? Për këtë
ekziston një përgjigje mjaft logjike: nëse Zotin do të mundej ta shohë
çdokush, atëherë çfarë qëllimi do të kishte krijimi i gjithësisë? Nëse Ai do
të dukej, të gjithë njerëzit do ta besonin ekzistencën e Tij, dhe do të
mbretëronte paqja dhe harmonia absolute. Por, qëllimi i krijimit të
gjithësisë është që të dallohen mosbesimtari dhe dyfytyrëshi nga besimtari,
ndërsa në ditën e Gjykimit do të ndahen këta dy grupe (njëri për dënim, e
tjetri për mëshirë) dhe çdokush do ta fitojë atë që e ka merituar sipas besimit
dhe veprave.
Melekët janë qenie që Zoti i
krijoi nga drita. Ata kanë për detyrë kryerjen e detyrave që ua jep Zoti, dhe
i kryejnë ato pa rezistencë.
Prej detyrave të tyre mund të
numërohen: bartja e erërave, furnizimi, marrja e shpirtërave (në momentin e
caktuar), shënimi i veprave të njeriut etj.
Një ndër dallimet esenciale mes
njerëzve dhe melekëve është se njerëzit kanë lirinë e zgjedhjes të rrugës
jetësore (mund të zgjedhin besimin ose mosbesimin).
Për t’ua treguar njerëzve rrugën e
besimit dhe të mirësisë, Zoti nuk i la ata të bredhin nëpër tokë ashtu siç
duan vetë, por u dërgoi shpallje - ligje me anë të njerëzve të zgjedhur.
Lajmëtari (i zgjedhuri) pranonte shpalljet nga Zoti në formë inspirimi dhe ia
përcillte popullit, dhe kështu në mesin e popullit formohej një grupë
besimtarësh. Shpalljet janë shkruar në gur, dru, lëkurë etj. Në dallim prej
besimtarëve, gjithmonë ka pasur njerëz që shpalljet nuk i kanë besuar, e madje
kanë luftuar për zhdukjen e tyre. Kështu origjinaliteti i shpalljeve është humbur,
por Zoti vazhdimisht ka dërguar shpallje tjera, për ta ripërtrirë besimin në
mesin e njerëzve.
Është e njohur se çdo Lajmëtar i Zotit
ka qenë i frymëzuar nga Zoti, ndërsa si shpallje më të përmendura njihen
shpalljet e Ibrahimit a.s., Musait a.s., Dawudit a.s., Isait a.s., dhe në
fund, Muhamedit a.s..
Të gjitha këto shpallje janë
humbur ose deformuar nga dora e njeriut, pos shpalljes së fundit, Kur’anit, të
cilën kishte nder t’ua transmetojë njerëzve i zgjedhuri Muhamed a.s.. Pra,
nga kushtet e besimit është të besuarit se Zoti ka dërguar shpallje, prej të
cilave vetëm Kur’ani ngeli i padevijuar, me të cilin duhet të udhëhiqet jeta
në tokë.
Më lart cekëm disa nga të
dërguarit dhe qëllimin e dërgimit të tyre: transmetimin e ligjit të Zotit
njerëzve. Besimtari duhet besuar në të gjithë të Dërguarit e Zotit, prej Ademit
a.s. (Ibrahimin a.s., Nuhun a.s., Musain a.s., Isain a.s. etj.) deri në
Muhamedin a.s., pa bërë dallim mes tyre.
Në këtë botë bëhen shumë padrejtësi.
Kur dihet se çdo kënd i gjithësisë udhëhiqet me një ligj të përsosur dhe harmonik,
të cilin e ka vendosur Zoti, është çudi si ky ligj nuk vlen edhe për njerëzit
në tokë? Përse vetëm në tokë ka padrejtësi, gjakderdhje, luftëra, uri dhe sëmundje?
Kjo arsyetohet me atë se vetëm njeriu ka lirinë e të zgjedhurit. Nuk ka dyshim
se Zoti, Ligjdhënësi më i Drejtë, drejtësinë e vet do ta realizojë një ditë, e
kjo është dita e Gjykimit, kur çdokush do ta japë llogarinë për atë se si e ka
kaluar jetën në këtë botë: prindi do të shpërblehet për atë se e ka ushqyer
fëminë, fëmija do të shpërblehet se e ka dëgjuar prindin, i sëmuri do të
shpërblehet për atë se i ka duruar dhembjet dhe mundimet e sëmundjes, i
dëmtuari do të shpërblehet se i është mbështetur Zotit kur e kanë dëmtuar...
Nga ana tjetër, dijetari do të dënohet po të ketë mësuar vetëm që njerëzit të
thonë se është i ditur, heroi do të dënohet po të ketë treguar trimëri vetëm
që të thonë se është guximtar, ndërsa pasaniku do të dënohet po të ketë dhënë
lëmoshë vetëm që të thonë se është dorëdhënë. Çdokush do ta japë llogarinë për
atë se si e ka kaluar jetën në këtë botë: në besim - duke bërë vepra të mira vetëm
për hir të Zotit, ose në mosbesim dhe duke i bërë veprat për hir të tjetërkujt
pos Zotit, qofshin ato vepra të mira ose të këqia.
Pra kjo është ajo ditë kur
realizohet drejtësia absolute.
Allahu kohë pas kohe ia ka treguar
njeriut udhëzimin mes shpalljeve të Tij. Sa i takon besimit, njeriu gjithmonë
ka patur lirinë e zgjedhjes. Në Kur’an thuhet:
“...kush do, le të besojë, e kush do, le të mohojë...”[9]
Mirëpo, gjithmonë kanë ekzistuar
disa çështje për të cilat njeriu nuk ka patur fuqi që t’i ndryshojë, si p.sh.
ligjet “natyrore”, momentin e lindjes dhe vdekjes, furnizimin, etj. Këto
përcaktime njeriu edhe të përpiqet, nuk mund t’i ndryshojë. Prandaj, besimtari
e ka për obligim që të besojë se çdo gjë që i ka ndodhur, qoftë e mirë ose e
keqe, i ka ndodhur me lejën e Allahut. Urtësia e këtij kushti të besimit
shpjegohet në këta ajete:
“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e
që të mos jetë në shënime para se të ngjajë, e kjo për Allahun është lehtë,
ashtu që të mos dëshproheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos
gëzoheni tepër me atë që Ai ju ka dhënë, se Allahu nuk e do asnjë arrogant,
lavdidashës.”[10]
Pra, me besimin e këtij kushti, në
rast fatkeqësie besimtari fiton vullnet për të vazhduar jetën, ndërsa në
gjendje të mirëqenies nuk jepet shumë pas gëzimit, sepse nuk e di se ç’mund
t’i ndodhë të nesërmen, dhe kështu ia jep respektin e duhur Zotit të vet në të
dy rastet.
-Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh,
sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.
Ihsani është kulminacioni i fesë.
Kjo është gjendja kur njeriu më është bindur palëkundëshëm në ekzistencën e
Zotit të vet, dhe e adhuron Atë ashtu siç është i urdhëruar, me ç’rast fitohet
kënaqësia dyanëshe dhe harmonia mes krijesës dhe Krijuesit të vet.
E lus Allahun që të na e
mundësojë këtë shkallë të besimit...
Lavd-falënderimi i takon Allahut,
qoftë paqja mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin,
mbi ne, dhe mbi të gjithë shërbyesit e mirë të Zotit
Autor
Abdullah ebu Muhamed Abdurrahmani
Redaktor
Ymer Musa